Endrit Shabani u betua sot si Avokat i Popullit në Kuvendin e Shqipërisë, në një seancë të shoqëruar nga tensione, kundërshtime dhe fërshëllima nga deputetët e opozitës.
Seanca plenare u karakterizua nga kaos dhe përplasje verbale, ndërsa që në nisje deputetë të opozitës bllokuan foltoren dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat. Në sallë u raportua gjithashtu përdorimi i mjeteve tymuese, duke e rënduar më tej situatën.
Pavarësisht klimës së tensionuar, Shabani kreu betimin, ndërsa në një gjest simbolik, drejtuar opozitës, u shpreh me një koment ironik duke “dhënë edhe një puthje”, çka nxiti reagime të mëtejshme në sallë.
Nga ana e saj, opozita nuk kurseu kritikat, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e Belinda Ballukut dhe dorëzimin e Ergys Agasit, duke i lidhur zhvillimet me akuzat e tij politike ndaj mazhorancës.



