Sipërmarrësi Gjergj Luca ka publikuar një video të realizuar gjatë qëndrimit të tij në Libi, në veri të Afrikës, ku ndalet te historia dhe prania e hershme shqiptare në këtë rajon. Në mesazhin që shoqëron pamjet, Luca thekson se videoja është bërë “me shpirt dhe me sinqeritetin e zemrës”, duke e cilësuar si një reflektim personal mbi rrugëtimin historik të shqiptarëve.
Ai e nis rrëfimin me evokimin e historisë, duke u ndalur te largimi i vazhdueshëm i elitave shqiptare ndër shekuj, një proces që sipas tij ka shoqëruar fatin e kombit. Megjithatë, Luca nënvizon se pavarësisht këtyre largimeve, gjurmët shqiptare vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot, madje prej më shumë se 500 vitesh, edhe në territore larg Shqipërisë.



