Nga Prof.dr. Xhevdet Zekaj
Dalja e Sali Berishës në emisionin “Opinion” më 11 dhjetor 2025 nuk ishte intervistë. Ishte një akt i pastër vetë-amnistimi historik, i ndërtuar mbi harresën selektive, gënjeshtrën e ricikluar dhe rishkrimin e biografisë personale sipas nevojës politike të momentit.
Tri pyetje të thjeshta nga Blendi Fevziu u shndërruan në tre monologë justifikues. Berisha nuk u përgjigj. Ai u fsheh pas fjalëve.
“Vendimi për të dalë kundër diktaturës” ishte gënjeshtra kryesore e Sali Berishoviçit.
Të thuash se vendimi i tij më i rëndësishëm ka qenë “kundërvënia ndaj diktaturës komuniste” në vitet 1988–1989, kur ke qenë sekretar partie, mjek i nomenklaturës dhe zë i Ramiz Alisë në lëvizjen studentore, është fyerje për inteligjencën publike.
Sali Berisha nuk e sfidoi diktaturën, ai u përdor prej saj. Nuk doli kundër regjimit, por u dërgua nga byroja për të menaxhuar rënien e kontrolluar të saj, për të kanalizuar lëvizjen studentore dhe shpëtuar elitën komuniste nga përmbysja reale.
Në grevën e studentëve, Berisha lavdëronte Ramiz Alinë. Këto janë fakte, jo opinione dhe t’i shesësh sot si “akte dinjiteti” është falsifikim kriminal i historisë.
Së dyti, 1997-ta si “momenti më i vështirë” është një seleksionim i turpshëm berishoviçian. 1997-ta nuk ishte fatkeqësi natyrore, por ishte pasojë direkte e qeverisjes së Berishës. Këtë as kopeja e bufave blu nuk e beson më, as më militanti.
Por ai harron qëllimisht një varg gjëmash që mbajnë firmën e pushtetit të tij si:
Zgjedhjet e dhunuara të vitit 1996, përdhunimi i votës dhe shkatërrim i besimit në demokraci.
Shkatërrimi i shtypit të lirë, kërcënime, shantazhe, presion politik ndaj mediave kritike.
Djegia e “Koha Jonë”, akt barbar shtetëror për të frikësuar fjalën e lirë.
1997-ta, firmat piramidale të toleruara e të përdorura politikisht deri në rrënimin e shtetit.
Gërdeci, biznes mbi jetë njerëzish, përgjegjësi të mbuluara me pushtet.
21 Janari, qytetarë të vrarë në bulevard dhe krimi i justifikuar publikisht.
Të thuash se ke qenë “i armatosur” në zyrë nuk të bën burrë shteti më 1997, kjo të bën udhëheqës të frikësuar, të rrethuar nga armë kundër popullit të vet, por hero apo Bajram Curr jo e jo.
Trimëria e Berishës ka qenë gjithmonë staliniste e njëjtë: pushtet me dhunë, përgjegjësi kurrë. Drejtësia e asaj kohe prodhoi juristë “gjingjonër” të “plepave”; dosje të varrosura, krime pa autorë, ligj i përkulur para pushtetit.
Dhe kurrë mos harro se ndërkohë që Kosova digjej, Shqipëria berishoviçe u përdor për kontrabandë nafte me regjimin e Millosheviçit. Biznes i ndyrë mbi gjakun e shqiptarëve, i maskuar me retorikë patriotike.
NATO, gënjeshtra më e madhe e karrierës së tij. Këtu mashtrimi berishoviç bëhet historikisht i turpshëm. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 nuk filloi më 2008, as me Berishën dhe as në Bukuresht, historia reale e marrëdhënieve Shqipëri–NATO është kjo: Më 1992, Shqipëria vendosi marrëdhënie zyrtare me NATO-n. Më 1994, anëtarësimi në “Partnership for Peace” ishte fakt.
Më 1996–1997 procesi u ngadalësua nga kriza politike dhe rrënimi shtetëror berishoviçian.
Më 1999, Shqipëria u bë partner strategjik i NATO-s gjatë krizës së Kosovës.
Më 2002–2005 pati shumë reforma të monitoruara ndërkombëtarisht. Më 2006 erdhi ftesa zyrtare për anëtarësim. Më 2008 ndodhi marrëveshja në Bukuresht; më 2009 u realizua anëtarësimi i plotë në NATO.
Antarësimi në NATO është proces shtetëror, shumëvjeçar, ndërpartiak dhe ndërkombëtar, por kurrë pronë private e Sali Berishoviçit.
Të thuash “jam njeriu i parë nga Europa komuniste” është mashtrim i qëllimshëm, sepse Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria kanë hyrë shumë më herët në NATO.
Berisha nuk e futi Shqipërinë në NATO, por Shqipëria hyri në NATO pavarësisht Berishës, jo falë tij.
E vërteta përfundimtare modeste që mendoj është se: Sali Berisha nuk ishte disident, nuk ishte reformator, nuk ishte arkitekt i demokracisë, kurrë nuk ishte heroi i NATO-s. KURRË!
Berishoviçi ishte dhe mbetet produkt i tranzicionit të manipuluar, përfitues i kaosit, mjeshtër i rishkrimit të historisë sipas interesit personal.
Mendoj se media duhet ta kuptojë se problemi nuk është se ai gënjen, por se ende ftohet të gënjejë pa u kundërshtuar. Dhe kjo është tragjedia jonë politike.



