Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën gjyqësore në ngarkim të Sali Berishës, Jamambër Malltezi, Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit Sokol Hazizaj dhe e Vasilika Hysit qe mbrojnë Fatmir Bektashin dhe dy kompanitë. Ndërkohë seanca e radhës u la për në datën 10 dhjetor pra 12:30.
Në seancën e kaluar, GJKKO rrëzoi kërkesën e Berishës dhe të pandehurve të tjerë për pavlefshmëri të akteve dhe papërdorshmëri të provave që janë gjetur deri më tani nga SPAK, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe në prova. Bëhet fjalë për vendimet e marra nga gjyqtarja e hetimeve paraprake Irena Gjoka, e cila prej kohësh është nën sulmet e ish-kryeministrit Berisha.
Një tjetër kërkesë që rrëzoi GJKKO ishte edhe ajo e kompanisë ‘Kontakt’, e cila kërkonte gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.



