Zbardhet vendimi i GJKKO për Belinda Ballukun, e cila u pezullua nga detyra si zv kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Balluku, për shkak të detyrës rrezikon prishjen e provave.
“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, sqarohet në vendimin e GJKKO.
Në lidhje me rrezikun që për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohet, Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë.



