Në episodin e fundit të podkastit “N’xhiro me Syçin”, fotografi i njohur Roland Tasho ishte i ftuar për një bisedë të thellë mbi karrierën dhe perceptimin e tij për artin dhe fotografinë. Diskutimi u përqendrua tek preferencat e Tashos për fotografi bardh e zi dhe ngjyra, si dhe rëndësia e arkivit dhe historisë vizuale të Shqipërisë. Ilir Demalia pyeti: “Landi, çfarë projektesh ke tani?”, duke nisur bisedën mbi punën aktuale të Tashos. Roland u shpreh se i pëlqejnë shumë kostumet kombëtare, por edhe fotografia bardh e zi ka një dimension të veçantë: “është më emocionuese, më shprese. Ka atë ngjyrën e që shoh unë”. Ai theksoi se puna me bardh e zi përdoret gjerësisht në ekspozita dhe muze, duke i dhënë fotografive një forcë të veçantë artistike. Tasho ndau eksperiencën e tij me arkivin fotografik dhe rëndësinë e dokumentimit të periudhës socialiste: “Në këtë fazë të jetës jam më tepër me arkivin sesa po fotografoj sepse më kërkohet shumë, edhe nga të huajt”. Ai shpjegoi se shumë fotografë të huaj janë të interesuar për jetën e përditshme në Shqipëri gjatë viteve ’90 dhe ‘91, duke përfshirë edhe arkivin e ngjarjeve të rëndësishme dhe jetës rurale. Fotografi vuri në dukje mungesën e respektit për paraardhësit dhe historinë vizuale të vendit: “Ne nuk kemi histori sepse nuk respektojmë paraardhësit tanë. Sot jetojmë një histori të rremë, jo vetëm për artin, por edhe për politikën”. Ai përfundoi duke reflektuar mbi rëndësinë e dokumentimit të jetës së përditshme, duke treguar se fotografitë e tij nuk synonin dramatizimin e varfërisë, por kapjen e realitetit të thjeshtë dhe të vërtetë të kohës



