Në episodin më të fundit të podcastit “N’xhiro me Syçin”, Ilir Demalia kishte të ftuar fotografin e njohur Roland Tasho, me të cilin bisedoi për artin, fotografinë dhe kujtimet e rinisë në Tiranën e viteve ’70. Në hapje të emisionit, Demalia theksoi se “fotograf është një fjalë e thjeshtë, por për ta kthyer fotografinë në art duhet të jesh artist, të kesh vizion dhe imagjinatë.” Ai e prezantoi Tashon si “një mik të vjetër që përmes fotografisë i ka dhënë Shqipërisë një respekt të veçantë”, duke vlerësuar kontributin e tij në pasqyrimin e kulturës shqiptare në botë. “Pa zë, i ke dhënë Shqipërisë nder nëpërmjet fotografisë sate,” u shpreh Demalia. Nga ana e tij, Roland Tasho falënderoi për ftesën dhe kujtoi me nostalgji periudhën e rinisë. “Ishte një kohë e bukur, rinia jonë ka çfarë të kujtojë, edhe pse koha ishte e vështirë.” Ai përshkroi atmosferën e viteve ’70 në Tiranë, ku “rinia kishte frymë antisistemi, një dëshirë për t’u dalluar dhe për të qenë ndryshe.” Në vijim, biseda mes dy miqve mori edhe ngjyrime personale e humoristike, teksa sollën në kujtesë detaje të jetës së asaj kohe, nga rregullat absurde të sjelljes publike, deri te modat e imituara nga Sanremo dhe Milano.



