Valltarja e flamenkos, Lucia La Bronce solli shpirtin spanjoll në shfaqjen “Recóndito” në Katedralen Ortodokse, shfaqje kjo që ka marrë valë të gjata duartrokitjesh nga publiku i shumtë kryeqytetas ditën e djeshme.
Artistja ndezi atmosferën me energjinë e saj të papërmbajtshme, duke përfshirë edhe të pranishmit në magjinë e krijuar në skenë. Shfaqja “Recondito” erdhi për publikun kryeqytetas si pjesë e aktiviteteve të programuara gjatë Javës Kulturore Spanjolle.
Lucía La Bronce solli një performancë të jashtëzakonshme, ku kërcimi, këndimi, kitara dhe instrumentet e perkursionit u bashkuan në një simfoni emocionesh, duke rikthyer thelbin e flamenkos, kësaj tradite “të flaktë” spanjolle.
Balerina andaluziane, anëtare e Ballet Flamenco de Andalucía, mahniti publikun me mjeshtërinë dhe pasionin e saj, duke e bërë këtë performancë të paharrueshme për publikun e pranishëm në sallë i cili kështu pati mundësinë të shijojë një shfaqje që vjen rrallë në jetë dhe duhej parë me sesbën.
Flamenko e ka origjinën në Andaluzi, në Spanjën jugore, si një shkrirje e traditave muzikore dhe kërcimit nga popujt andaluzianë, maurë, hebrenj dhe romë. Rrënjët e këtij kërcimi mund të gjurmohen në migrimin e romëve nga Rajasthan (Indi), në Spanjën e shekujve 9 dhe 14. Forma e artit u shfaq gjatë shekujve të përzierjes kulturore, me “Gitanos” që luajtën një rol kryesor në zhvillimin e saj dhe e bënë të njohur publikisht në mesin e shekullit të 19-të, tashmë flamenco është kthyer në një “emblemë” të dansit spanjoll. A.K.



