
Biznesmeni i njohur Gjergj Luca ka ndarë një mesazh krenarie dhe motivimi për produktet shqiptare, duke theksuar suksesin ndërkombëtar të kompanisë së tij “Rozafa”.
“Shqipërinë e bëj krenare në botë me punën time, me punën e peshkatarëve të mi, e bëj krenare me markën Rozafa Made in Albania. Jam prodhues që i jap frymë ekonomisë kombëtare, nuk jam tregtar dembel që rri gjithë ditën në rrjetet sociale!”, shkruan Luca në një status të publikuar në rrjete sociale.
Biznesmeni theksoi se pas 23 orësh lundrim, anijet e tij të peshkimit kanë dalë në tokë, duke përgatitur tonin shqiptar për eksport në tregjet ndërkombëtare si Izraeli, SHBA-ja, Anglia dhe Spanja.
“Ky ton që shikoni është prodhim shqiptar dhe në gjithë botën shkon shqip. Rozafa Tuna shkon në New York, Los Angeles, Boston, Madrid, shkon në gjithë botën e qytetëruar,” u shpreh Luca, duke e shoqëruar mesazhin me pamje nga puna e peshkatarëve shqiptarë.
Kompania “Rozafa”, e njohur për përpunimin dhe eksportin e produkteve të peshkut, vijon të zgjerojë praninë e saj në tregjet ndërkombëtare, duke u prezantuar me markën “Made in Albania”.



