Në podkastin “N’xhiro me Syçin” me Ilir Demalian, juristi Edmond Petraj ka folur gjerësisht për drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumanin, dhe performancën e tij në krye të institucionit në prag të përfundimit të mandatit. I pyetur nga Demalia nëse Dumani dhe prokurorët kanë treguar arrogancë gjatë ushtrimit të detyrës, Petraj tha se duhet parë konteksti dhe evolucioni i strukturës që nisi me Arben Krajën: “U shajt Arben Kraja nga të gjitha anët se ‘nuk po bën arrestime’. Por reforma në drejtësi nuk u ngrit për të futur dikë në burg, por për të hetuar nivelin e lartë të politikanëve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë,” theksoi ai.
Sipas Petraj, Dumanit i ra “shorti” të përfundonte disa hetime të nisura më parë, dhe për këtë arsye emri i tij lidhet me arrestimet e fundit. “Altin Dumanin e njoh herët, kemi qenë bashkë në procese. Mbaj përgjegjësi për fjalën që them: është një nga njerëzit më të ndershëm dhe profesionalë që ka pasur prokuroria shqiptare,” deklaroi Petraj. Ai theksoi se drejtuesi i SPAK-ut ka katër detyra kryesore: “Të përfaqësojë institucionin me dinjitet, të ketë integritet moral e profesional, të kërkojë zbatueshmëri ligjore brenda strukturës dhe të ruajë pavarësinë e prokurorëve.”
Sa i përket çështjes Veliaj, Petraj tha se nëse kryebashkiaku ka pasur dyshime për konflikt interesi të ndonjë prokurori, “duhej t’i drejtohej gjykatës”, pasi ligji e parashikon këtë rrugë. Ai shtoi se volumet e mëdha të dosjeve, me dhjetëra mijëra faqe, nxjerrin në pah nevojën për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, sidomos për afatet e shkurtuara që nuk lejojnë përgatitje të plotë të mbrojtjes.



