Një tjetër arritje e rëndësishme është shënuar në mjekësinë shqiptare. Një ekip neurokirurgësh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka kryer me sukses një ndërhyrje të ndërlikuar për heqjen e një mase tumorale, duke i mundësuar një pacienti 51-vjeçar të rifitojë shikimin.
Lajmin e ka ndarë Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipit mjekësor të drejtuar nga Prof. Artur Xhumari.
“Një tjetër histori suksesi në mjekësinë shqiptare. Në QSUT, nën drejtimin e Prof. Artur Xhumarit, ekipi i neurokirurgjisë trajtoi me sukses një rast kompleks, duke hequr një masë tumorale tek një pacient 51-vjeçar. Falë profesionalizmit të mjekëve, pacienti rifitoi shikimin dhe u përmirësua ndjeshëm”, shkruan Rama.
Ky rast vjen si dëshmi e avancimit të kapaciteteve mjekësore në vend dhe e përpjekjeve për të ofruar trajtime të nivelit të lartë në shërbimin publik shëndetësor.



