Një moment historik po afron për sportin shqiptar. Më 25 tetor 2025, në O2 Arena të Londrës, kampioni shqiptar Jurgen Uldedaj do të ngjitet në ring për të sfiduar Titullin e Madh Botëror IBO, përballë kampionit aktual Rolly Lambert Fogoum.
Pas një karriere të gjatë të mbushur me fitore, sakrifica dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, Uldedaj është gati të përfaqësojë Shqipërinë në një nga arenat më të famshme të botës së boksit. Ky duel pritet të jetë jo vetëm një përballje sportive, por edhe një moment krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
“Mbështetja e bashkatdhetarëve, sidomos e shqiptarëve që jetojnë në Angli, më jep forcë dhe besim për ta ngritur flamurin kuqezi në majën e botës”, është shprehur Uldedaj në prag të ndeshjes.
Eventi organizohet nga “Queensberry Promotions”, një nga shtëpitë më prestigjioze të boksit ndërkombëtar, çka e bën sfidën edhe më të rëndësishme në karrierën e sportistit shqiptar.
Të gjithë sytë do të jenë të drejtuar nga Londra, ku Jurgen Uldedaj – “Albanian Powerhouse” synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e boksit shqiptar.
Forcë. Guxim. Krenari.




