Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, mori pjesë sot në homazhet që po mbahen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në nder të figurës së gjyqtarit, Astrit Kalaja, i cili u vra më 6 tetor me armë zjarri në sallën e Gjykatës së Apelit, pasi shpalli verdiktin për një çështje pronësie.
Pasi kreu homazhet në nder të gjyqtarit, Kryeministri Rama, nuk bëri asnjë deklaratë për mediat.
Homazhet në nder të gjyqtarit të vrarë, nisën në orën 09:00 dhe pritet të përfundojnë në orën 11:00.
Gjyqtari Kalaja, u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, xhaxhai i të cilit, Gjon Shkambi ishte palë në gjyqin që po zhvillohej për një çështje pronash.
Të plagosur gjithashtu mbetën dhe babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë e tretë në këtë çështje.
Si hyri në gjykatë me armë autori
Sipas hetimeve, në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, Elvis Shkambi mbërriti në ambientet e Gjykatës së Apelit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi.
Të dy kaluan nëpër pajisjen e skanimit në hyrje, e cila sinjalizoi prezencën e metaleve. Më konkretisht, pajisja ndezi dritat e kuqe, duke paralajmëruar për objekt metalik, me shumë gjasë armën e zjarrit që Elvis Shkambi mbante në brez.
Megjithatë, punonjësi i sigurisë në detyrë, Banush Koxhaj, nuk ndërmori asnjë veprim kontrolli, duke qëndruar i ulur në vendin e tij dhe duke mos ushtruar kontroll fizik ndaj personave apo t’i regjistronte në librin e hyrje-daljeve, siç e parashikon protokolli i sigurisë.
Pas hyrjes në ambientet e brendshme të gjykatës, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi qëndruan për rreth dy orë në hollin e pritjes së publikut, pa ngjallur dyshime.



