Në episodin më të fundit të podcastit “N’xhiro me Syçin”, Ilir Demalia foli për Kantinën Duka, duke e cilësuar atë si një nga perlat më të bukura të Gjirit të Lalzit. “Kantina Duka është e njohur për prodhimin e verave cilësore, tashmë të njohura në Shqipëri, por edhe në Belgjikë dhe Angli. Së shpejti pritet të hyjë edhe në tregun amerikan. Ka një vreshtë në Gjirin e Lalzit, me një liqen dhe kodra përreth, një pamje që të lë pa frymë, ku mund të bësh edhe hajking. Aty ndodhet një restorant me ushqim të shkëlqyer dhe pamje magjepëse. Po ashtu janë drejt përfundimit dhjetë bujtina ku mund të qëndrosh edhe një javë, mes natyrës dhe verës së mirë,” tha Demalia.
Në këtë moment, aktori Xhevahir Zeneli ndërhyri me humor, duke rrëfyer përvojën e tij personale me kantinën:
“Kam qenë dy herë i ftuar në aktivitetet që zhvillon Agroni. Më ranë dy shishe verë. I piva vetë, tha Zeneli, dhe pastaj meqë nuk kisha më verë i mbajta shishet. Në njërën kam hedhur vaj ulliri, në tjetrën uthull molle, vetëm që t’i shikoj aty me mbishkrimin Kantina Duka dhe më duket sikur po pi verë”.



