Në episodin më të fundit të podkastit N’xhiro me Syçin, moderator Ilir Demalia priti aktorin e njohur Xhevahir Zeneli, i cili rrëfeu për rrugëtimin e tij personal dhe artistik. Demalia e prezantoi Zenelin si “një personazh që e njohin të gjithë dhe që ka bërë njerëzit të qeshin në momente të vështira”. “Xhevën në çdo dalje e tij është interesant.
Nga vjen kjo?” pyeti Demalia. Zeneli u përgjigj me humor: “Ngaqë u shkëputa nga lëvizja Mjaft dhe si duket kalova në pozicion”. Xhevahir Zeneli tregoi origjinën e tij: “Kam lindur në Ersekë. Gjimnazin e kam bërë në Kolonjë, një shkollë me emër që ka nxjerrë breza të talentuar. Nuk e kam trashëguar sensin e humorit nga familja; babai ishte në polici, mamaja kamarierë, por unë u aktivizova që në gjimnaz dhe pasioni për aktrimin u zhvillua që herët”.
Ai kujtoi edhe stazhin njëvjeçar në bujqësi: “Vjeljen e mollëve, nuk hanim bukë tre ditë para se të niseshim në aksion… ishin eksperienca që më formuan”. Më pas, Zeneli foli për konkurimin në Institutin e Lartë të Arteve: “Duhej mesatarja 8.5, por falë një mësuesi të fisikultures dhe përkushtimit tim, e arrita”. Një nga kujtimet më të veçanta ishte xhirimi i filmit në 1996 me Margarita Xhepën dhe Lan Trebiçkën: “I futa 200 milionë lekë në xhep dhe plotësuam dekorin e shtëpisë për xhirim – ishte sfidë, por shumë kënaqësi”.



