Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, i moderuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte pedagogu dhe aktivisti politik Endri Shabani, i cili analizoi krizën e modelit politik në Shqipëri dhe orientimin që vendi duhet të marrë.
Shabani theksoi se partitë politike pasqyrojnë shoqërinë dhe krizat e përsëritura janë rezultat i përplasjes mes dy modeleve: perëndimor demokratik dhe autoritar oriental. “Unë do doja që Shqipëria të ishte pjesë e Bashkimit Europian jo vetëm formalisht, por edhe kulturalisht. Ka forca që e tërheqin vendin mbrapa, por roli i të rinjve është të promovojnë modelin perëndimor, i cili ka në thelb demokracinë,” tha Shabani.
Sipas tij, problemi i madh i politikës shqiptare ka qenë personalizimi i pushtetit, ku udhëheqësit shpesh kanë ndjekur modelin e “liderit të fortë”, në vend që të forconin institucionet. Ai solli shembuj nga historia, duke përmendur se diktatorë si Hitleri, Musolini apo Enver Hoxha ishin në fakt figura të dobëta, të paafta të pranonin pluralizmin. “Diktatorët nuk janë gjithmonë të fortë. Forca e tyre reflekton dobësinë e brendshme dhe përjashtimin nga shoqëria urbane,” theksoi ai.



