Në një intervistë për podcastin “Nxhiro me Syçin” të Ilir Demalias, aktivisti dhe politikan Endri Shabani foli hapur mbi ndarjet politike, zhgënjimin paszgjedhor dhe konfliktet brenda opozitës. Ai tha se koalicioni që ishte ndërtuar mbi disa angazhime konkrete u shpërbë menjëherë pas zgjedhjeve, pasi premtimet nuk u mbajtën. “Kjo krijoi një situatë të vështirë dhe shumë njerëz ndihen të zhgënjyer. E ndjej veten bashkëfajtor dhe u kam kërkuar ndjesë votuesve që na besuan”, u shpreh Shabani.
Pjesë e bisedës ishte edhe përplasja me avokatin Adriatik Lapaj, për të cilin Demalia dha një vlerësim kritik. Sipas tij, Lapaj tregoi një gjuhë kërcënuese dhe një qasje autoritare që rikthen mentalitetin e vjetër të politikës shqiptare. “Është shqetësuese që dikush pa marrë ende pushtet shpërfaq delire të tilla. Ky njeri është më i rrezikshëm se Berisha dhe duhet izoluar nga politika dhe shoqëria,” tha Demalia.
Ndërkohë, Shabani theksoi se pavarësisht krizës dhe prishjes së koalicioneve, angazhimi i tij dhe i kolegëve do të vazhdojë. “Vijojmë punën si këshilltarë bashkiakë dhe aktivistë. Politika nuk mbaron këtu dhe kemi ende shumë për të dhënë,” tha ai.



