Një zhvillim i papritur ka tronditur skenën politike shqiptare. Gabriele Tarroni Longinotti, italiani që në vitin 2023 dha dy intervista për emisionin “Piranjat” në “Syri TV”, ku përmendi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në lidhje me inceneratorët, ka firmosur një deklaratë noteriale në Modena të Italisë duke rrëzuar çdo pretendim të bërë më parë, shkruan N’xhiromesyçin.com.
Në intervistat e vitit 2023, Tarroni pretendonte se kishte parë ose takuar Veliajn në Shqipëri dhe Itali, duke e lidhur me përfaqësues të kompanive dhe me biseda për inceneratorët. Këto deklarata u përdorën gjerësisht nga opozita për sulme politike ndaj Veliajt.
Por, më 24 shtator 2025, përpara noteres Rosa Chiarini në Modena, Tarroni ka nënshkruar një akt noterial ku sqaron:
- Nuk ka parë dhe nuk ka takuar kurrë Erion Veliajn, as në Itali dhe as në Shqipëri.
- Nuk ka asnjë provë që Veliaj ka qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorëve.
- Deklaratat e dhëna në Syri TV ishin të pavërteta dhe të bëra “në shkëmbim të premtimeve nga persona të lidhur me media”.
- Vetë Tarroni pranon se fjalët e tij u përdorën për qëllime politike dhe i kanë shkaktuar dëm Veliajt.
Në fund të deklaratës, ai thekson:
“Tani që kam mësuar se z. Erion Veliaj ka hapur një proces gjyqësor për shpifje kundër meje në Tiranë, më vjen keq që deklaratat e mia janë instrumentalizuar nga opozita shqiptare dhe i kanë dëmtuar rëndë karrierën politike. Më vjen thellësisht keq.”





