Në episodin e fundit të podkastit N’xhiro me Syçin, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj bëri një analizë të situatës së politikës shqiptare, duke kritikuar pasurimin e politikanëve dhe mungesën e transparencës. Ai theksoi se shumë individë brenda elitës politike kanë përfituar prona, makina dhe lloj-lloj luksesh, pa dhënë llogari për veprimet e tyre. “Është e papranueshme që qytetari të mbetet pa zë, ndërkohë që politikanët jetojnë në luks dhe përdorin burimet publike për përfitime personale,” tha Alibeaj.
Ai shtoi se mungesa e moralit dhe transparencës ka dëmtuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe ka ndikuar në degradimin e cilësisë së parlamentit.
Alibeaj komentoi gjithashtu nivelin intelektual dhe etik të përfaqësuesve politikë, duke theksuar se shumë prej tyre nuk arrijnë të përmbushin standardet e përgjegjësisë publike. “Institucionet që duhet të garantojnë integritetin shpesh nuk e bëjnë këtë, dhe kjo është një sfidë e vazhdueshme për demokracinë tonë,” deklaroi ish-deputeti.



