Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen për lirimin e hapësirave publike dhe çmontimin e strukturave metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike.
“Vijojmë”, shkruan Rama, duke iu referuar nismës kombëtare për lirimin e hapësirave publike, e cila ka nisur në muajin korrik 2025.
Ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Paralelisht me këtë proces po hartohet Rregullorja Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.
Për këtë qëllim në dispozicion të qytetarëve, të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë portali “Hapësiraimepublike.gov.al”. Deri më sot nga denoncimet në portal, janë zgjidhur 8 890 raste, ndërsa 3 249 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.



