Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka vënë theksin tek roli i medias në një demokraci funksionale. Ai u shpreh se liria e medias nuk mund të matet me afërsinë ndaj opozitës apo pushtetit, por me aftësinë për të qenë kritike ndaj çdo realiteti politik. “Media e lirë nuk është ajo që bëhet zëdhënëse e opozitës. Nëse je padron i opozitës, nuk je media e lirë. Detyra e saj është të godasë pushtetin, cilido qoftë ai,” – u shpreh Shehi.
Duke sjellë shembuj nga përvoja ndërkombëtare, ai kujtoi gazetarin e njohur italian Indro Montanelli, i cili theksonte se gazetari mund të jetojë mirë nga profesioni, por “gazetar i pasur nuk bëhet kurrë”. Sipas Shehit, ky është thelbi i etikës profesionale: të ruash dinjitetin, pa u kthyer në biznesmen politik. Shehi kritikoi edhe lidhjet e ngushta mes disa pronarëve mediash dhe politikës, duke thënë se kjo e dëmton rolin e informimit.
“Kur mediat shndërrohen në pasuri me vila e interesa të ngushta, ato nuk janë më kritike, por pjesë e lojës së pushtetit,” tha ai.



