Në podkastin N’xhiro me Syçin, Ilir Demalia pati të ftuar ish-deputetin Dashamir Shehi, ku diskutuan për fillimin e sesionit të ri parlamentar, qeverisjen e katërt të Edi Ramës dhe gjendjen e opozitës. Demalia e cilësoi parlamentin aktual si të degraduar, duke humbur rolin qytetar dhe përfaqësues.
“Parlamenti sot është kthyer në një stallë, si për nga cilësitë e deputetëve ashtu edhe për vlerat që ata mbartin. Listat e kryetarëve kanë zëvendësuar listat e vlerave dhe të qytetarisë,” tha ai. Duke iu drejtuar Shehit, Demalia e konsideroi atë si një nga figurat që solli “lezet” në parlament për shkak të stilit të drejtpërdrejtë dhe origjinal. “Ju kishit një autenticitet që nuk e kishin turmat e tjera politike. Ju flisnit me një profil qytetar, me gjuhën e Tiranës, që po zhduket gjithnjë e më shumë,” u shpreh ai.
Nga ana e tij, Dashamir Shehi theksoi se politika nuk kufizohet vetëm brenda parlamentit. “Unë jam larguar nga Kuvendi, por jo nga politika. Politika bëhet edhe jashtë, në shumë forma. Demokracia kërkon emancipim shoqëror, ekonomik e kulturor që të vlerësohen vlerat e vërteta,” tha Shehi. Ai komentoi edhe përçarjen në opozitë, duke theksuar se grupi më i madh mbetet ai i udhëhequr nga Sali Berisha, por se fragmentimi i saj dëmton shanset për fitore. “Bashkimi prodhon energji. Vetëm nëse opozita bashkohet, mund të fitojë,” nënvizoi Shehi.



