Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, i ftuar ishte deputeti Dashamir Shehi, i cili foli gjerësisht për krizën politike dhe ekonomike në vend. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për tri reforma madhore: ndryshimin e Kushtetutës, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe reformimin e administratës lokale. “Ky vendi duhet të ndryshojë Kushtetutën, të ndryshojë ligjin zgjedhor dhe të rikthejë dinjitetin e administratorit lokal. Pa këto nuk kemi përfaqësim të vërtetë të qytetarëve,” u shpreh Shehi.
Duke iu referuar opozitës, ai u tregua kritik: “Grupi që ka sot Berisha është derivat i një ligji të keq. Nuk është as simpatia për Berishën, as dëshira opozitare për të rrëzuar Ramën. Është një mekanizëm oportunizmi.” Shehi komentoi edhe premtimet ekonomike, duke përmendur pensionet. Sipas tij, premtimi i Ramës për pension mesatar prej 400 eurosh është “një gënjeshtër”. “Sot duhen 5 miliardë euro për pensione. Nuk i gjen dot këto para. Maksimumi mund të bëjmë rritje graduale, nga 250 në 300 euro,” theksoi ai.
Deputeti solli edhe një pasqyrë më të gjerë historike, duke e lidhur gjendjen aktuale me procesin e vonuar të shtetformimit tek shqiptarët. “Nuk është e lehtë të ndërtosh shtet kur shqiptarët janë ndarë në katër shtete. Ky është një proces historik që nuk mbyllet brenda një brezi,” tha Shehi.



