Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, moderuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte gazetari Alban Dudushi, i cili komentoi marrëdhënien mes qeverisë dhe SPAK, si dhe çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. “Ne kemi hyrë në një normalitet të marrëdhënieve mes dy pushteteve, ekzekutivit dhe drejtësisë, që nga natyra nuk mund të jenë miqësore. Nuk duhet të jenë armiq, por miq nuk bëhen kurrë,” tha Dudushi.
Ai theksoi se, pavarësisht kritikave, ekzistenca e SPAK është më e rëndësishme sesa dështimi i reformës: “Më mirë ta kemi një drejtësi që pavarësohet çdo ditë e më shumë, sesa të mos kemi fare dhe të kthehet gjithçka në farsë.” Duke u ndalur tek hetimet ndaj Veliajt, Dudushi pranoi: “Unë nuk e di çfarë ka bërë Erion Veliaj. Është një politikan dhe administrator i talentuar, që ka ditur të ndërtojë ekipe dhe të udhëheqë Tiranën. Brenda qeverisjes së tij ka më shumë aspekte pozitive sesa negative.”
Megjithatë, ai nënvizoi se Veliaj është lënë i vetëm nga partia: “Është një lojë braktisjeje nga ana e PS-së. Rama premtoi se partia nuk do të kthehej kurrë në zyrë avokatie, por këtu kemi një braktisje të një figure politike që dikur ata vetë e mbështetën.” Sipas tij, beteja e Veliajt me drejtësinë duhet të zhvillohet deri në fund, sepse humbja e saj do të ishte një goditje e madhe për besueshmërinë e reformës.



