Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja njohën shtetin palestinez në një ndryshim historik diplomatik vetëm disa ditë përpara javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky veprim vjen në një përpjekje për të ushtruar presion mbi qeverinë izraelite mes krizës humanitare që po zhvillohet në Gaza.
Përmes një video deklarate të publikuar në rrejtet sociale, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer njoftoi vendimin e qeverisë për njohjen e shtetin palestinez.
“Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe të një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur, përkrah një shteti palestinez të qëndrueshëm – dhe për momentin nuk kemi asnjërën nga këto. Prandaj, sot, për të ringjallur shpresën për paqe dhe një zgjidhje me dy shtete, unë deklaroj qartë, si kryeministër i këtij vendi të madh, se Mbretëria e Bashkuar e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”, tha ai në një video deklaratë.
“Kjo zgjidhje nuk është një shpërblim për Hamasin,” shtoi ai, sepse kjo do të thotë që Hamasi nuk mund të ketë të ardhme, asnjë rol në qeveri dhe asnjë rol në siguri.
Duke shpallur njohjen e shtetit palestinez, kryeministri tha se kriza e shkaktuar nga njeriu në Gaza ka arritur thellësi të reja.
“Uria dhe shkatërrimi janë absolutisht të padurueshme. Dhjetëra mijëra janë vrarë, përfshirë njerëz që ishin duke mbledhur ushqim dhe ujë. Këto vdekje dhe ky shkatërrim na tmerron të gjithëve. Disa fëmijë të sëmurë dhe të plagosur janë evakuuar dhe ndihma jonë humanitare është rritur – por “ndihma që po arrin nuk është asgjë afër asaj që nevojitet. Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të heqë kufizimet në kufi. Ndalo këto taktika mizore dhe lejo që ndihma të hyjë masivisht,” tha ai.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka deklaruar se njohja e shtetit palestinez është “asgjë tjetër veçse një shpërblim për xhihadistët e Hamasit – të inkurajuar nga degët e Vëllazërisë Myslimane në Mbretërinë e Bashkuar”.
“Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, ‘fryti’ i masakrës së 7 tetorit”, ka shkruar ministria izraelite në një postim në X.
Paraprakisht, Kanadaja është vendi i parë i G7 që njohu shtetin palestinez. Kryeministri kanadez, Mark Carney tha se nga sot, “Kanadaja njeh shtetin e Palestinës”. Në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij X, Carney tha:
“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës ashtu edhe për Shtetin e Izraelit.”
Pas Kanadasë, edhe kryeministri i Australisë, Anthony Albanese njoftoi menjëherë se shteti i tij, e njeh Palestinën si shtet sovran.
Ai thotë se kjo është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët së bashku me Kanadanë dhe Britaninë dhe do të formojë “një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete”.
“Duke filluar nga sot, e diele 22 shtator 2025, Komonuelthi i Australisë e njeh zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Palestinës. Në këtë mënyrë, Australia e njeh legjitimitetin dhe aspiratat e kahmotshme të popullit të Palestinës për të pasur shtet të vetin. Njohja e sotshme e Palestinës nga ana e Australisë së bashku me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar është pjesë e përpjekjeve të koordinuara ndërkombëtare për të ndërtuar një moment të ri për zgjidhje me dy shtete, duke filluar me armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve”, thuhet në letrën e kryeministrit të Australisë.
Por, ky hap i këtyre shteteve është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi me zemërim dhe u zotua ta kundërshtojë atë në mbledhjen e OKB-së.
Thirrjet për një shtet palestinez “do të rrezikonin ekzistencën tonë dhe do të shërbenin si një shpërblim absurd për terrorizmin”, tha Netanyahu të dielën. Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Britani, Trump tha se “kemi mosmarrëveshje me kryeministrin (britanik) për këtë çështje”.
Një numër gjithnjë e më i madh aleatësh afatgjatë kanë ndryshuar pozicion, pasi Izraeli ka intensifikuar luftën në Gazë, duke u zotuar ta shkatërrojë grupin militant palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.



