Transferimi i Marash Kumbullës te Major ka u konsiderua si një lëvizje e rëndësishme në merkato për mbrojtësin e Kombëtares, i cili u duk se u ambientua me futbollin spanjoll për shkak të eksperiencës së vjetshme te Espanjoli.
Mbrojtësi shqiptar, i formuar në futbollin italian dhe me eksperiencë në Serinë A te Roma, pritej të sillte stabilitet dhe cilësi në repartin defensiv të skuadrës spanjolle. Megjithatë, vetëm pak kohë pas mbërritjes së tij, situata ka marrë një kthesë të papritur. Kumbulla nuk figuron më në planet e skuadrës pasi mungon në listat e grumbullimit, nuk shihet në stërvitjet e hapura dhe, mbi të gjitha, nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për këtë “zhdukje”. Situata e krijuar ka sjellë një valë spekulimesh rreth asaj që po ndodh realisht me mbrojtësin shqiptar. Mediat spanjolle kanë shkruar shumë për historinë e mbrojtësit të Kombëtares, i cili është dëmtuar fillimisht në shtator dhe pasi u rikthye në fushë, u zhduk sërish duke mos pasur asnjë informacion në lidhje me të. Kjo situatë, ka shqetësuar edhe tifozët e Majorkës, të cilët kanë nisur të kërkojnë përgjigje, ndërsa mungesa e transparencës nga klubi dhe stafi teknik vetëm sa e ka thelluar misterin. Në një moment të sezonit ku çdo lojtar ka rëndësi, sidomos një përforcim si Kumbulla, mungesa totale nga skena sportive është një situatë e pazakontë.
DYSHIMET E DËMTIMIT- Hipoteza e parë që qarkulloi ishte ajo e një dëmtimi. Kjo është shpesh arsyeja më e zakonshme kur një lojtar del jashtë rotacionit. Por në këtë rast, raportet mjekësore të klubit nuk përmendin asnjë problem fizik për Kumbullën. Kjo ka çuar në dyshime se mund të bëhet fjalë për një situatë të ndërmjetme, ku lojtari mund të ketë shqetësime fizike që nuk janë zyrtarizuar. Një lloj “gënjeshtre” mjekësore, ku ai nuk është në gjendje të luajë, por as nuk konsiderohet i dëmtuar. Megjithatë, kjo teori nuk ka bindur plotësisht opinionin sportiv, pasi mungesa e çdo informacioni konkret e bën të duket më shumë si një justifikim sesa si realitet.
SHERR ME TRAJNERIN- Një tjetër shpjegim që ka fituar terren është mundësia e një konflikti të brendshëm me trajnerin Martin Demikelis. Edhe pse nuk ka prova të drejtpërdrejta, disa elementë nxisin këtë dyshim. Tekniku argjentinas ka zgjedhur vazhdimisht alternativa të tjera në mbrojtje, edhe në raste kur prania e Kumbullës do të ishte logjike. Për më tepër, mediat spanjolle raportojnë se lojtari shqiptar nuk është plotësisht i integruar në grup. Një nga shpjegimet më realiste lidhet me aspektin taktik. Martin Demikelis preferon mbrojtës që kanë aftësi të mira në ndërtimin e lojës nga prapa, janë agresivë në presing dhe kanë lëvizshmëri të lartë. Kumbulla, ndonëse i fortë në duele fizike dhe në lojën ajrore, nuk njihet si një mbrojtës me cilësi të theksuara në qarkullimin e topit. Kjo mund ta ketë penalizuar në skemat e trajnerit. Nëse ky është motivi real, atëherë bëhet fjalë për një zgjedhje sportive, por heshtja e klubit ka krijuar më shumë konfuzion sesa qartësi, duke menduar edhe bujën me të cilën kaloi.
HESHTJA- Deklaratat e trajnerit Martin Demikelis kanë qenë të përgjithshme, pa dhënë detaje konkrete mbi situatën e lojtarit. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e Majorkës kanë shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë. Ajo që bie në sy është edhe heshtja e vetë Marash Kumbulla. Në një kohë kur lojtarët reagojnë shpesh publikisht, mungesa e çdo deklarate nga ana e tij është e pazakontë dhe lë vend për interpretime të ndryshme. Ndërsa situata mbetet e paqartë, vlera sportive e lojtarit rrezikon të bjerë. Një futbollist që nuk luan dhe nuk është pjesë e planeve humbet automatikisht interesin në treg. Për Kumbullën, në moshën 24-vjeçare, kjo është një fazë vendimtare e karrierës. Mungesa e minutave dhe konkurrencës mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e tij.
E ARDHMJA- Me afrimin e merkatos së verës, Kumbulla do të rikthehet sërish në kampionatin italian, aty ku e pret Roma. Verdhekuqtë kanë kartonin e mbrojtësit të Kombëtares dhe shanset për ta mbajtur në skuadër, janë të pakta teksa do të shihet një tjetër opsion për të. Natyrisht, Kumbulla është cilësuar shpesh si një nga mbrojtësit me më shumë potencial, por diçka të tillë nuk ka arritur ta dëshmojë ende në fushë megjithëse dëmtimet e kanë penalizuar shpesh.


